GJYKATA E RRETHIT GJYQESOR ELBASAN
   Home      Info për publikun      Proces Penal
 

Proçesi Penal në Gjykatë


Procesi gjyqësor penal fillon në bazë të depozitimit në Gjykatë të kërkesës së prokurorit ose të dëmtuarit akuzues. Kryetari i trupit gjykues i ngarkuar për gjykimin e çështjes, brenda 10 ditëve nga depozitimi i kërkesës, cakton datën e seancës gjyqësore. Data e seancës i njoftohet prokurorit, të pandehurit, mbrojtësit, të dëmtuarit, palëve private dhe përfaqësuesve të tyre të paktën 10 ditë para datës së caktuar për gjykim.

 

Kur janë kushtet e parashikuara në ligj prokurori mund të kërkojë gjykimin e drejtpërdrejtë kurse i pandehuri gjykimin e shkurtuar, në këto raste zbatohen rregullat e caktuara në Kodin e Proçedurës Penale për gjykimet e posaçme. Deri në datën e caktuar për gjykim palët mbrojtësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të shikojnë sendet e sekuestruara të shqyrtojnë në sekretari aktet dhe dokumentat e mbledhura në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor si dhe të nxjerrin kopje të tyre.

 

 

Për rastet që kërkohet sigurimi i provës kryetari me kërkesën e palëve urdhëron marrjen e provave të cilat më vonë rrezikohen të mos merren duke respektuar rregullat e parashikuara për shqyrtimin gjyqësor. Palët që kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve duhet të depozitojnë në sekretarinë e Gjykatës, të paktën pesë ditë para datës së caktuar për gjykim, listën e tyre.

 

Në rastin e veprave që ndiqen me kërkesën e të dëmtuarit akuzues Gjykata thërret të dëmtuarin dhe atë kundër të cilit është bërë kërkesa për gjykim dhe u propozon zgjidhjen e çështjes me pajtim, në rast se i dëmtuari e tërheq kërkesën dhe ai që akuzohet e pranon tërheqjen Gjykata vendos pushimin e çështjes në të kundërt ajo cakton datën e seancës dhe u bën të njohur atyre se mund të ndihmohen nga një mbrojtës.

 

Seanca gjyqësore është publike përndryshe quhet e pavlefshme, por Gjykata mund të vendosë që shqyrtimi gjyqësor ose disa veprime të tij të zhvillohen me dyer të mbyllura kur ndodhet para njërit nga rastet e parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale. Drejtimi i seancës bëhet nga kryetari, urdhrat e tij për ruajtjen e rendit e të qetësisë janë të detyrueshme për palët e pjesmarrësit dhe të zbatueshme nga organet e rendit.

 

Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë gjyqësore Gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasme të punës, por Gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqsor vetëm për arsye të veçanta deri në 15 ditë. Hetimi gjyqsor fillon me marrjen e provave të kërkuara nga prokurori ose i dëmtuari akuzues dhe vazhdon me marrjen e atyre që kërkohen nga i pandehuri mbrojtësi dhe palët e tjera.

 

 

Pas marrjes së provave, prokurori mbrojtësi i të pandehurit dhe përfaqësuesit e palëve të tjera formulojnë dhe parashtrojnë konkluzionet përkatëse. Prokurori, mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve mund të bëjnë replikë. Diskutimi përfundimtar nuk mund të ndërpritet për të marrë prova të reja përveçse kur Gjykata e çmon të domosdoshme .

 

Pas diskutimit përfundimtar Gjykata tërhiqet për marrjen e vendimit i cili mund të jetë vendim për pushimin e çështjes, vendim pafajsie, vendim dënimi për të pandehurin.

 

Kundër vendimit të Gjykatës së shkallës së parë palët mund të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Kryetari i kolegjit të Gjykatës së Apelit urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre.

 

Afati i paraqitjes së tyre nuk mund të jetë më i vogël së dhjetë ditë. Gjykata e Apelit mund të vendosë marrjen e provave të reja ose përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor ajo vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqsor kur vërtetohet se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në shkallë të parë sepse nuk ka marrë dijeni ose nuk ka mundur të paraqitet për shkaqe ligjore. 

Gjykata e Apelit pasi shqyrton çështjen vendo: 

Lënien në fuqi të vendimit

Ndryshimin e vendimit

Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes

Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve Gjykatës së shkallës së parë

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë e shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura por për çështje ligjore që duhet të shihen kryesisht nga Gjykata në çdo gjendje e shkallë të proçesit të cilat nuk janë parë, Gjykata e Lartë ka të drejtë të vendosë.

 

Gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatë të Lartë zbatohen të gjitha normat që lidhen me publicitetin rregullin e seancës dhe me drejtimin e diskutimit si në Gjykatën e shkallës së parë për aq sa janë të zbatueshme.

 

 

 

Pas shqyrtimit të çështjes Gjykata e Lartë vendos:

 

Lënien në fuqi të vendimit ndaj të cilit është bërë rekurs

Ndryshimin e vendimit për cilësimin ligjor të veprës për llojin dhe masën e dënimit për pasojat civile të veprës penale

Prishjen e vendimit dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim

Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rishqyrtim

Të drejtat e qytetarëve në Gjykatë 

Të drejtat e qytetarëve në Gjykatë janë të përcaktuara në Kodin e Proçedurës Civile dhe në Kodin e Proçedurës Penale.

 

Në proçesin gjyqësor civil, e drejta themelore është e drejta për t'iu drejtuar Gjykatës me padi. Me anën e padisë kërkohet njohja e një të drejte ose mbrojtja e një të drejte që është mohuar ose cënuar nga një person tjetër.  


Palët në një proçes gjyqësor civil kanë të drejtën për të kërkuar përjashtimin e njërit ose të të gjithë anëtarëve të trupit gjykues, në rastet kur ata kanë interes në çështjen që shqyrtohet ose për mosmarrveshje të tjera që kanë lidhje me çështjen në gjykim; kur gjyqtari ose bashkëshorti i tij është i afërm i njërës prej palëve në proçes; kur gjyqtari paraprakisht ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim si dhe për çdo lloj arsye tjetër e cila krijon bindjen se gjyqtari nuk do të jetë i paanshëm.

 

 

Çdo person ka të drejtë të ndërhyjë në gjykimin që është duke u zhvilluar midis personave të tjerë, në rast se ai pretendon për vete të drejtën ose sendin për të cilin zhvillohet gjykimi. Po ashtu ai mund të ndërhyjë edhe kur ka interes për të mbështetur njërën ose tjetrën palë me të cilën bashkohet në gjykim.

 

Secila prej palëve në gjykimin civil ka të drejtë të thërrasë për të marrë pjesë në gjykimin e çështjes, personin që mendon se e ka të përbashkët çështjen ose nga i cili mund të kërkohet një garanci që lidhet me përfundimin e çështjes.

 

Secila nga palët në proçes ka të drejtë t'i kërkojë Gjykatës që të urdhërojë palën tjetër ose një person të tretë që nuk merr pjesë në çështje që të paraqesë në gjykim një dokument ose send i cili konsiderohet i nevojshëm për zgjidhjen e çështjes dhe që nuk mund të sigurohet nga pala që bën pretendimin.

 

Paditësi ka të drejtë që në çdo fazë të gjykimit të heqë dorë nga gjykimi i padisë. Në këtë rast Gjykata vendos pushimin e gjykimit të çështjes.

 

Paditësi ka të drejtën që t'i kërkojë Gjykatës marrjen e masave për sigurimin e padisë në ato raste kur ka arsye të bazuara për të dyshuar se ekzekutimi i vendimit do të bëhet i pamundur ose i vështirë.

 

Po ashtu, secila nga palët ka të drejtë t'i kërkojë Gjykatës të marrë masa për sigurimin e një prove e cila rezikon të zhduket ose marrja e së cilës në të ardhmen mund të bëhet e pamundur ose e vështirë. Kjo në rastet kur prova ka rëndësi themelore për zgjidhjen e çështjes.

 

Palët në gjykimin civil kanë të drejtë të paraqesin provat të cilat provojnë pretendimet përkatëse.

 

Këtu përfshihet: thirrja e dëshmitarëve, paraqitja e provave shkresore etj.

 

Personat që nuk dinë gjuhën shqipe kanë të drejtë të përdorin në gjykim gjuhën e tyre dhe të njihen me provat dhe me gjithë zhvillimin e gjykimit nëpërmjet përkthyesit.

 

Çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në një proçes gjyqësor civil, me përjashtim të rasteve kur Gjykata vendos që gjykimi të bëhet me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së një sekreti shtetëror dhe rendit publik; përmendjes së rrethanave të jetës intime të pjesëmarrësve në gjykim apo të ruajtjes së sekretit tregtar apo shpikjeve.

 

Një e drejtë tjetër themelore e pjesëmarrësve në gjykim është e drejta për t'u ankuar ndaj vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës.

 

Në procesin gjyqësor penal një nga të drejtat themelore të të pandehurit është se ai ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit dhe kur nuk ka mjete të mjaftueshme financiare i sigurohet mbrojtja falas me avokat.

I pandehuri ka të drejtë të zgjedhë jo më shumë se dy mbrojtës.

 

 

Personat që akuzohen për një vepër penale por që nuk dinë shqip kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre dhe me anën e përkthyesit kanë të drejtë të flasin e të marrin dijeni për provat e aktet si dhe për zhvillimin e proçedimit.

 

Personat të cilët dëmtohen nga njëra prej këtyre veprave penale: Rrahja, Plagosja e rëndë nga Pakujdesia, Plagosja e lehtë nga Pakujdesia, Dhunimi i banesës, Fyerja, Shpifja, Ndërhyrje të padrejta në jetën private, Përhapja e sekreteve vetjake, Mosdhënia e mjeteve për jetesë, Marrja e padrejtë e fëmijës, Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet, Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit, Shkelja e paprekshmërisë së banesës kanë të drejtë ti drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës dhe të marrin pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.

 

Personat që proçedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë kanë të drejtë të kërkojnë që tu kthehen të drejtat dhe të shpërblehen për dëmin e pësuar.

 

Secila nga palët në proçesin gjyqësor penal ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e njërit ose të të gjithë anëtarëve të trupit gjykues në rastet kur ato kanë interes për çështjen, kur është kujdestar përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit, kur ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim mbi objektin e proçedimit, kur ndonjë prej të afërmëve të tij ose të bashkëshortit të tij është cënuar apo dëmtuar nga vepra penale si dhe kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie.

 

Deri në datën e caktuar për gjykim palët mbrojtësit dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të shikojnë sendet e sekuestruara të shqyrtojnë në sekretari aktet dhe dokumentat e mbledhura në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor si dhe të nxjerrin kopje të tyre.

 

I pandehuri edhe kur është me masë sigurimi izoluese ose kur i është hequr liria për çdo lloj shkaku tjetër ka të drejtë të merret në pyetje i lirë.

 

I pandehuri ka të drejtë të mos i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e Gjykatës ose nga ana e prokurorit, po kështu ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata marrjen e provave që janë në favor të tij.

 

I pandehuri i mitur ka të drejtë të kërkojë ndihmë juridike dhe psikologjike në çdo gjendje dhe shkallë të proçedimit.

 

Në proçesin penal i pandehuri ka të drejtë të kërkojë ose të japë pëlqimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë të tij.

 

Gjatë proçesit gjyqësor penal palët kanë të drejtë të kërkojnë pyetjen e dëshmitarëve dhe të ekspertëve, t'u drejtojnë atyre pyetje me qëllim për të vërtetuar fajsinë apo pafajsinë e të pandehurit.

 

Para fillimit të proçesit penal i pandehuri ose përfaqësuesi i tij i posaçëm kanë të drejtë të kërkojnë gjykim të shkurtuar pra që çështja të përfundohet derisa të mos ketë përfunduar shqyrtimi gjyqësor në gjendjen që janë aktet në rast se kërkesa pranohet dhe pranohet fajësia gjykata ul dënimin me një të tretën dhe dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me njëzet e pesë vjet burgim.

 

Prokurori ka të drejtë të kërkojë gjykim të drejtpërdrejtë kur i pandehuri është arrestuar në flagrancë ose kur gjatë marrjes në pyetje të të pandehurit ai e ka pohuar dhe fajësia e tij është e qartë.

 

Çdo person që ka pësuar dëm material nga vepra penale ose trashëgimtarët e tij mund të ngrejnë padi civile në proçesin penal kundër të pandehurit ose të paditurit civil për të kërkuar kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmit.

 

Dëshmitari në një proçes gjyqësor penal ka të drejtë të mos dëshmojë për fakte nga të cilat mund të lindë përgjegjësia penale për të.

 

Në një proçes gjyqësor penal kanë të drejtë të përjashtohen nga detyrimi për të dëshmuar këta persona:

të afërmit e të pandehurit, bashkëshorti për faktet e mësuara nga i pandehuri gjatë jetës bashkëshortore, bashkëshorti i ndarë nga i pandehuri, ai që bashkëjeton me të pandehurin ose ka bashkëjetuar me të, ai që është i lidhur me të pandehurin në marrëdhënie birësimi gjithashtu në një proçes gjyqësor penal kanë të drejtë të mos dëshmojnë për shkak të rajtjes së sekretit profesional këta persona, përfaqësuesit e besimeve fetare statutet e të cilëve nuk janë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar, avokatët, përfaqësuesit ligjor dhe noterët, mjekët, kirurgët, farmacistët, obstetrët dhe kushdo që ushtron një profesion shëndetsor si dhe ata të cilët ushtrojnë profesione të tjera të cilëve ligji u njeh të drejtën të mos dëshmojnë për ato që lidhen me sekretin profesional.

 

Një nga të drejtat themelore të pjesmarrësve në proçesin gjyqësor penal ashtu si edhe në proçesin gjyqësor civil është e drejta e tyre për tu ankuar ndaj vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës.